Republika e Kosovës merr pjesë për hetë të katërt në Bienalen e 58të të Venedikut me ekspozitën voluminoze individuale të veprës së re nga Alban Muja.
Veprimtaria e Mujës, që merr formën e video instalacionit, filmave të shkurtër dhe dokumentarëve, pikturës dhe performansës, ndikohet në masë të madhe nga proceset aktuale të transformimeve shoqërore, politike dhe ekonomike në vendlindjen e tij, Kosovën, si dhe më gjerë në regionin e Ballkanit. Përmes nësaj praktike, ai hulumton historinë dhe temat socio-politike, si dhe i lidh ato me pozitën e tij në Kosovë sot.
Për Pavijonin e Kosovës, Muja do të prezentojë një video instalacion të ri që gërmon thellë në kujtesën personale dhe kolektive nga Lufta e Kosovës (1998-1999) duke marrë në pyetje rolin e imazheve dhe mediave në konstruktimin dhe formësimin e narrativës, identitetit dhe historisë, veçanërisht në kohë të konfliktit.
Ky vit shënon 20-vjetorin e përfundimit të konfliktit të armatosur në Kosovë, pra të luftës së fundit që ka ndodhur në tokën Evropiane në shekullin 20, si dhe në shtetin më të ri në kontinent, i cili gjatë kësaj lufte e përjetoi deportimin e 90% të popullatës së tij. Në pikën fillestare të projektit të Mujës, shtrihet një përzgjedhje fotografish të fëmijëve refugjatë, të bëra gjatë luftës; imazhe këto, të publikuara në gazeta dhe sajte lajmesh përreth botës, të cilat u bënë sinonim i luftës, emblema të kaosit, traumës dhe dhimbjes së komunikuar publikut përmes mediave globale. Pas njëzet vitesh, Muja i zbulon individët, tanimë të rritur, të portretizuar në këto imazhe, për të hulumtuar mënyrën në të cilën ato veprojnë si bartës të kujtesës personale, por edhe mënyrën se si këto imazhe ndihmuan formësimin e tregimit politik dhe medial përtej kontrollit të subjekteve të përfaqësuara.
Duke pasur parasysh se pas dy dekadash, bota ballafaqohet me vatra të reja dhe eskaluese të konfliktit, të përcjella me kriza akute refugjatësh, përvoja dhe realiteti i të cilëve janë pjesë e shpërndarjes dhe rritjes së numrit të imazheve përcjellëse dokumentare, projekti i Mujës për Pavijonin e Kosovës e hap një fushë më të gjerë të vënies në pyetje të marrëdhënies mes estetikës dhe politikës, mes subjektit dhe tregimtarit.