Besa
/////
Kam qenë shumë n’gjendje t’randë. Nuk kam bërë asnjë zë. Një familjare me ka mbështjellë dhe më ka lidhë fort, dhe më ka futë në furrë për t’u ngrohë për disa
sekonda. Pastaj nënës time i ka ra të fikët, për shkak se është brengosë për mu. Unë në atë kohë kam qenë 6 muajshe. Kurse babai im ka qenë 31 vjet, dhe nëna
vetëm 21 vjeçare. Me 8 mars, 1999, ka qenë ofenziva në fshatin Ivajë. Forcat serbe i kanë zanë në fakt njerëzit, i kanë nda burrat veç dhe gratë veç. Burrat i kanë marrë i kanë dërgu n’stacion policor, ku i kanë mbajtë për 2 orë. Kurse gratë i kanë mbajtë n’qendrën e kulturës. Pas intervenimit të OSBE-së, burrat janë liruar, poashtu dhe gratë. Me babën nuk jam takuar rreth 3 mujë, pasi që ai ka qenë ushtar i UÇK-së. Nëna ime nuk ka ditur gjë për të. Prej kur kemi dalë prej shpisë, kemi lëvizur nga një shtëpi në tjetrën. Poashtu kemi lëvizur edhe nga një fshat në tjetrin; unë - në atë kohë kam qenë 6 muajshe - nëna, halla dhe gjyshja 60 vjeçare. Ka qenë një mot shumë i ftohtë… shi, borë. Nëna ime iu ka bashkangjitë kojshive tjerë. Thonë se ka qenë kolonë shumë e gjatë. Kanë qenë rreth 7,000 njerëz.
Para se me mbërri në fshatin Bllacë, nëna është ndalë në shtëpinë e familjes së saj. Aty ka pasur shumë refugjatë të tjerë. Dhe pastaj unë prej ftohtit nuk kam lëvizë.
Nëna ime ka mendu që kam vdekë prej ftohtit, dhe i ka ra të fikët. Pastaj, një familjare ime më ka mbështjellë dhe më ka shtrëngu me pelenë, dhe më ka futë në
furrë për pak sekonda. Dhe pastaj m’ka nxjerrë. Unë kam fillu me qajtë. Të gjithë refugjatët e pranishëm kanë duartrokitë nga gëzimi. Kemi vazhdu me ecë. Nëna tregon se kanë ecur në këmbë 24 orë, deri sa kanë mbërri në fshatin Bllacë. Dhe poashtu për 24 orë tjera janë ndalë në mal. Nuk i kanë lanë me kalu. Edhe poashtu aty kanë qenë edhe 30,000 refugjatë tjerë, poashtu n’gjendje shumë t’randë. Ka pasë pleq, fëmijë, gra. Nuk ka pasur ushqim tjetër përpos gurabijave, që ka qenë ushqimi im, dhe poashtu ai qëndron më shumë. Aty ka pasur gazetarë të shumtë që kanë dashtë me pasqyru luftën në Kosovë. Përderisa po fotografonin gjendjen e rëndë të shumë refugjatëve, ata fotografonin dhe nënën time me mua, duke pirë qumësht nga gjiri i saj. Pastaj nëna… atë në fakt gazetarët kanë dashtë që me ma zbulu fytyrën, por nëna ime ka qenë shumë e lodhur, sa që nuk ja ka vu veshin kërkesës së atyre. Aq ftohtë që ka qenë, e ka vnu një pelenë në kokë. Për herë të parë e kam kuptu fotografinë kur një grup gazetarësh, teksa po vijoja klasën e tretë, erdhën për të më intervistuar. Dhe pastaj e kam kuptu domethënien e fotografisë, edhe që jam une ajo vajza me nënën e saj në fotografi botërore.Në atë foto shihem unë e mbuluar me një batanije të bardhë. Dhe poashtu, ende qëndron te unë ajo batanije. E ruaj, është diçka shumë e veçantë për mu, pasi që me atë është tregu si një lloj historie. Dhe është i vetmi send që ka mbetë gjatë fëmijërisë teme.
Besimi dhe Jehona
///////////////////
Besimi: Babi kallxon se i ka ni fëmijët tu thanë: “A ndërrohëm me Xajën? A ndërrohëm me Xajën?”, se qaq u kanë e zorshme foto të gjindet për me e plotësu atë album. Lufta veç filloi të afrohet në qytetin e Mitrovicës, edhe babi punonte në shkollën Migjeni në Mitrovicë, si punëtor teknik. Momentin që e ka kry punën, u ardhë te shpia dhe ka kallxu: “Lufta po afrohet. Çkado që t’ndodhë, do t’jemi t’përgatitun.” Familja e ndarë ka mbetë për shkak se babi angazhohej rreth punës. I shërbente, në atë kohë, nxansave, punëtorëve të shkollës, e çelte shkollën, e mbyllte, deri në momentin e datës 16 prill. Babin e marrin policia serbe në Stacion të Autobusave në Mitrovicë. Dhe neve na qesin n’kolonë, duke vazhdu rrugës për Drenicë. Amo na interesoheshim për fatin e babës - se ku ka shku: a ka shku n’burg n’Smrekonicë, a n’burg n’Pozharevc. Se nijshim informata mes popullit se kush ka shku n’Pozharevc, nuk do t’kthehet i gjallë. Kush po shkon n’Smrekonicë, e ka mundësinë që p’e çojnë n’Shqipni. Unë, kur na kanë kthy prej kolonës n’Mitrovicë apet, dilsha edhe i vetsha… që i lirojshin të burgosunit me rend… i vetsha për babin. Do m’thojshin e kanë çu n’Pozharevc, do m’thojshin e kanë çu n’Shqipni, edhe këtu na nuk kem’ ditë për fatin e babës deri kur ka përfundu lufta. Kem’ menu që baba është i zhdukun. Edhe ashtu edhe informata i ka shku edhe babës për neve.
Jehona: Babi nuk folë shumë. Shumë sene i kena mësu prej mamit. Përvojën babi që na ka tregu ka qenë që në momentin kur ai është burgosë, dokumentat që i ka posedu me veti, ja kanë shky - përveç letërnjoftimit serb që e ka majtë me veti. Përvoja tjetër që babi e tregon si shumë e dhimbshme është se si një 12 vjeçar në
burg së bashku me babën e tij nuk kanë ditur m’e folë gjuhën serbe. E babi ka përkthy. Torturën ma t’madhe babi e ka përjetu për shkak se ju përkthejke atyne.
Kur i kanë dërgu n’burgun e Smrekonicës, e ka pasë një përvojë. Aty afër burgut ka qenë një bunar, edhe ka qenë kofja me ujë. U shku me marrë ujë për nevojat e veta personale. Mirëpo kofja ka qenë e shpume. N’bazë t’jetës n’fshat që ka bo babi, ka ditë si të gjindet. E ka deshë maicën edhe e ka vendosë në fundin e
kofës, dhe e ka mbushë kofën me ujë për nevojat e veta.
Besimi: Zullumin e madh babi jem e ka marrë për shkak asaj kofe t’shpume. Prej përvojës tij, që ka ditë me u nxjerrë prej situatës, i ka ba policët serbë me mendu që baba ka përvojë edhe është naj politikan. Ndërsa Babi o konë punëtor i thjeshtë teknik.
Jehona: Poashtu, përvoja tjetër që ne e kemi ndëgju prej babi ka qenë se si brenda burgut ka qenë edhe një qeli famëkeqe. E kanë majtë me këmbë teposhtë, edhe e kanë vendosë një pikë ujë.
Besimi: E kanë pikë në fytyrë… se babi tregon që mbi dhomë, mbi atë qeli, o kanë e montume si qeshme, edhe e shpume, muri i shpum nalt, edhe karrika e vendosun nër atë pikë.
Jehona: Ai thotë se ka qëndruar aty rreth 12 orë, mirëpo atij u janë dukur sikur të ishte brenda aty për 12 vjet. Babi ka qenë shumë i stresuar se - n’bazë t’burgosurve që kanë qenë aty - ka tregu se disa t’burgosun po i dërgojnë n’burgun e Pozharevcit, mirëpo momentin kur burgu po mbushej, po i dërgonin për Shqipni. E babi e pati atë fat, mos ta dërgojnë n’burgun e Pozharevcit, por e dërguan në Shqipni.
Besimi: E kanë nda prej kolonës, për shkak se i ka ndihmu një plaku. Kjo është ajo se u bë foto e famshme. N’këtë vend, e kanë lidh babin për një dritë. Dhe krejt t’burgosunit o’ dashtë me ja hi. Nëse ja kanë hi pak, apet i kanë kthy policia. Kur janë largu, personat tjerë e kanë kalu kufinin, ni gazetar amerikan o afru e ka
thanë “Pse o metë ai atje?” I kanë kallxu ata “Për shkak se i ka ndihmu një plaku që s’ka mujtë me ecë. Policia serbe na ka detyru me ba torturë ndaj tij”. Edhe shihet n’foto që babi e ka fytyrën pak t’skuqne, për shkak t’ujit valë që ja kanë gju policia. N’ato momente, babi ka dashtë me i marrë fotot, me i afru ngat veti… siç shihet edhe n’fotografi e ka edhe kuletën. Amerikani… gazetari amerikan… prej kurreshtjes tij me ditë çka po ndodh me ta, o shku edhe e ka ba atë foto.
Jehona: Poashtu babi tregon edhe gjatë kohës sa ka qenë aty në kufi, tregon se si ushtria e kanë pytë babin “Pse ti e përjetove gjithë këtë zullum për këto dy fotografi?” Babi iu ka përgjigjë: “Për ty munën mos me kanë kurgjo, për mu janë krejt bota ime. Se nuk e di a janë gjallë a jo. Bile i kam fotot, dhe i mbaj kujtim për
tanë jetën.” Normal për babin ka qenë shumë e randë, gjithë atë zullum m’e përjetu për ato dy fotografi. E për neve ka qenë edhe ma e randë, se na nuk e kena pasë as foton e babit.
Besimi: Për shkak t’zullumit t’tepërt - nuk ka mujtë as me nejtë ulë, as shtritë - amerikani ka ba çka për neve është diçka të cilën s’muj ja kthejmë me t’mirë kurgjo, se e ka bo t’pamundurën për babin. E ka thirrë ekstra helikopterin ushtarak t’spitalit t’Tiranës, m’e marrë babin edhe m’e kry shërbimin ma t’mirë t’mundshëm. Kallxon babi, ka nejtë tri javë n’lloç për me ju kapë mishi për eshna, për shkak ujit dhe zullumit që e kanë ba ndaj tij. N’momentin që na jena nda, s’kena ditë për fatin e prindit kurgjo, na kanë qitë n’kolonë edhe na kanë çu për Mal të Zi. Ni amerikan edhe ni amerikane me ni gazetar shqiptar, rrugëve t’Ulqinit, tu shetitë m’kanë pa që jom skuqë shumë n’shpinë prej diellit, edhe janë nalë m’kanë pytë - pa dije se unë jam ai fëmija i fotos - kanë thanë “Duhesh me u mjekue”. Ama na kishim ikë prej lufte, nuk e kishim gajlen e mjekimit. I kam thanë “Prit te thirri Nanën”. E kam thirrë edhe nanën, tani nana ja u ka shpjegu ngjarjen e luftës, se si jena nda na, edhe nuk dimë për fatin e prindit. Ata e kanë ditë ngjarjen e fotografisë që u ba, edhe e kanë ditë që baba është gjallë. Na n’këtë moment e kemi kuptu që prindin e kem’ gjallë. Ama prindi për neve s’ka ditë që jem’ gjallë deri n’momentin që u kthy prej Shqipnie mbas luftës. Kur u kthy babi, na jena kanë tu jetu n’Tavnik
t’Mitrovicës, ni shpi me qira. Kur e kam pa babin, unë e kam pa i pari - dhe kjo është njana prej gëzimeve t’mija ma t’mëdhaja kur e kam pa n’derë - ama nuk e kam njoftë. Prej peshës që e ka hupë prindi, une nuk e kam njoftë. Edhe n’ato momente, kur m’ka pa mue, i ka ra t’fikët. S’kena mujtë as mu afrue njani me tjetrin.
Edhe i kam thanë mamit, “Erdh babi”. Edhe kojshia kanë nga prej gëzimit. Krejt kojshia kanë nga me ardhë me këqyrë se a është e mundshme që ka shpëtu gjallë. Edhe vet… ka pasë kojshi aty që janë kanë me ‘ta n’burg. Ka pasë kojshi, edhe nuk kanë besu që u shpëtu gjallë.
Jehona: Edhe për mu si fëmijë, edhe pse shumë pak e mbaj në mend momentin kur u hy babi… mirëpo pas 2-3 ditëve, normal kena pasë ni gëzim shumë të madh. Me pritë gjithë atë kohë për prind, edhe mos me ditë se a është gjallë, o kanë shumë e randë për neve - edhe pse si fëmijë, e kena përjetu shumë rendë. Për aq sa mbaj në mend si fëmijë, kanë qenë demonstratat në qytetin e Mitrovicës në vitin 2004. Besimi si fëmijë, që ka qenë fëmijë i gjallë, ka dalë në ato demonstrata. Mirëpo gjatë rrugës, e vren Besimi një Opel Vectra e kuqe. Në xhamin e mbrapëm, shihet fotografija e babit. Në atë moment, brenda asaj veture ka qenë
gazetari që e ka ba foton e babit, edhe një përkthyes tjetër. Besimi e vrenë, edhe e ndalë veturën. Ata ishin duke u shetitë rrugëve t”Mitrovicës për të na kërkuar neve.
Besimi: Fotografinë kur e kam pa në atë kerr, o’ kanë ndjenjë e veçantë për mu, se unë e kam njoftë vetën, edhe babin. Kur e kam kuptu që u ba ajo fotografi, unë jam mërzitë shumë, se u ba për shkak të hjekave që i ka marrë babi për ato dy foto.
Jehona: Pasi që fotoja tashmë… pasi që e pamë foton në poster të madh, një ndjenjë interesante ishte edhe gjetja e fotos brenda një llojit të sakëzave që vinin nga Turqia, që për temë kishin NATO-n. Gjetja e kësaj fotos ishte shumë e zorshme brenda asaj serie, ose brenda atij albumi. Babi, si punëtor teknik që ishte, në shkollë ose në rrugë dëgjonte për fëmijët se si flisnin: “A ndërrohem me Xajën? A ndërrohëm me Xajën?” Kjo foto është bërë për… ka qenë shumë e zorshme… e fëmijët për atë shkak thonin “A ndërrohem me Xajën? A ndërrohëm me Xajën?”, në mënyrë që ta mbushnin albumin. Kjo foto zën vend t’veçantë në familjen tonë, edhe në albumet tona, edhe është një nga fotografitë ma t’pëlqyme t’tonat. Edhe pse nuk është ba n’kushte e rrethana t’mira, por prap se prap jetë njëra ndër fotot ma t’pëlqyme t’tona. Edhe na ndihem shumë krenar që e kemi një babë qasi, që ka hjekë për ton’ atë foto. Do t’jemi krenarë gjithë jetën.
Agimi
//////
Sot kur i shoh lajmet nëpër botë për refugjatë, më bën me u rrënqeth se e di që edhe gjatë vitit ’99, edhe familja jeme patën përjetu kësi që përjetojnë sot refugjatët nëpër botë, edhe rrënqethna shumë. Unë emrin Agim e kam marrë prej gjyshit edhe gjyshës. Shkaku ka qenë që axha jem aksidentalisht ka ndërru jetë, 1-2 vjet para se me lindë unë. E tani kanë pasë qef me ma ripërtëri emrin e djalit tyne te unë. Edhe jam konë ma i veçantë n’familje, ma shumë m’kanë mbajtë afër vete. Atëherë kur ka fillu lufta, kur filloi me u përkeqësu gjendja edhe në Prizren, në mars-prill ’99, vishin ushtarët serbë nëpër shpijat tona dhe lypshin ushqim e gjana të ndryshme. I kërkojshin burrat. Por nanat tona i thojshin ‘burrat tonë kanë ikë në gurbet’, por burrat tonë ikshin nëpër mahalla tjera ku u kanë pak ma sigurt, deri sa u largojshin, kur u largojshin, u kthejshin në shtëpi krejt burrat. Kur kena deshtë me ikë na prej anejshit, për me shku për në kampin arab në Kukës,
në fillim nuk na lejojshin në kufi me kalu. Tani e kena pasë ni kojshi serb, ai na lypke ka 500 marka për familje, për me na kalu neve kufinin. Kena hypë me ni makinë 10 veta. Jena kanë familje jeme edhe familja axhës tjetër, djalit axhës babit domethanë. Edhe jena nisë rrugës në pjesën për Zhur. Qaty na nalshin serbët, dhe na lypshin vetëm cigare. Disa herë kena hypë nëpër makina ka 10 veta dhe u nis’shim për kufi, edhe na kthejshin se i kojshia na merrke paret, po tani na kthejke kur nuk na lejshin me kalu anej kufinit… u kthejshim, tani na kthejke paret. Disa herë kështu jena nisë e jena kthy. Nana tregon se gjatë… para se me u nisë, përgatitke gurabija se, gurabija u kanë ushqimi ma së shumti që ka qëndru. Edhe kur jena nisë, bojke ma shumë u nis’shim, u kthejshim prap - se nuk e dishim sa kena me nejt jashtë Kosovës, edhe përgatitke ma shumë, shkaku që mos me hjekë keq gjatë rrugës. Me datën 23 prill, kur na lejunë me kalu kufinin, na edhe 80-90% e popullsisë së Prizrenit patën ikë… në atë kohë me 23 prill u pat liru kufini. Tani aty në kufi na kanë marrë dokumentat tonë, na i kanë hudhë, tabelat e makinës i kanë hudhë.
Tani jena nisë me ni gazetar, na ka ndihmu, ka dalë i ngjofshëm i axhës babit. Na ka ndihmu rrugës deri n’kamp. N’kamp tani kena pritë, na ka ra me pritë shumë, tani ky gazetari me ngjofsi na ka futë mrena n’kamp neve. Masi jena sistemu aty, natën vonë, u ndijshin bombardimet në Prizren se vija ajrore ka qenë e afërt. Tani dojshim me u largu edhe prej kampit arab se nuk u nijshim shumë t’sigurtë se u nijshin shumë bombardimet. Tani mas 3 dite, kanë ardhë gjyshërit prej Kosovës. Ata kanë nejt n’Kosovë. Mas 3 dite kanë ardhë ata. Edhe kur kanë ardhë tash aty te telat jena taku, janë taku familja me ata. Tani gjyshi edhe gjyshja lypshin veç mu me m’përqafu se nuk i lishin me hi mrena… ka pasë shumë edhe nuk i lishin me hi. Tani me ngjofsi i pat shti qëky djali axhës babit… i pat shti me ngjofsi ata mrena n’kamp. Po para se me hy n’kamp, gjyshi me gjyshën kishin dëshirë me m’marrë me m’përqafu mu, se që e kisha emrin e djalit tyne, e m’dojshin… ma i veçanti jam kanë n’familje. N’atë momentin kur janë afru gjyshi me gjyshën te gjembat, aty te telat, për me m’përqafu mu, tu m’nxjerrë mrena telave, kanë ardhë fotoreporterët na kanë fotografu, edhe n’qat moment u ba ajo foto e famshme aty n’atë venin ku kanë prtritë gjyshi me gjyshën me m’përqafu mu. Gjatë kohës sa ishim n’kamp, mas ton’ ati rrugëtimi e lodhje, masi u ba ajo foto, mas 2 dite, kanë ardhë gazetarët ma kanë sjellë djepin se unë qajsha shumë gjatë luftës - mungesë ushqimi e sene. Gazetarët na patën ni, patën ardhë me na vizitu. Ma kanë pru ni djep edhe ushqim, tamël e ksi gjana tjera për fëmijë. N’foto aty janë durtë e djalit axhës babit, edhe gruja axhës është aty n’foto… prej mrena për me m’qitë jasht te gjyshi e gjyshja… edhe knej n’foto janë durtë e gjyshit edhe gjyshës, tu m’pritë mu, tu m’majtë. Për atë fotografinë që kam qenë unë që u ba e njohur, gjatë vitit 2002 e patën marrë vesh familja ma shumë. Dhe gazetarja pat’ ardhë me na vizitu edhe këtu n’Prizren, n’vitin 2002 atëherë kur u ba fotografia shumë e njohur. Tani non stop m’tregojshin prindët për atë foto, po mu nuk m’vike fort interesant. Tani ishim tu shku me familjen për Shqipëri, edhe n’billbord e patëm pa foton teme. U patëm nal aty, na pat befasu ma shumë. Na u dok shumë interesante fotoja ime aty n’billbord, në Kukës. Edhe pse u ba kjo foto shumë e njofshme, n’dhomën e pritjes është fotoja e axhës Agimit, rahmetlisë. Veç fotoja e tij është n’dhomë t’pritjes, nuk ka foto tjera.